Anulohet vendimi i gjyqtari Besfort Kasumi, Shabanit i hiqet kartoni i kuq

Një vendim që nuk merret shpesh në futbollin kosovar, është publikuar të hënën. Është Komisioni për Vlerësim që në mbledhjen e mbajtur të hënën ka vlerësuar të padrejtë një vendim të gjyqtarit Besfort Kasumi.

Komisioni për Vlerësim, që përbëhet nga ish-gjyqtarët e njohur, Malazog Hoxha, Ismet Shurdhani e Ergyn Janovali, ka anuluar një karton të kuq që në ndeshjen Gjilani – Dukagjini u nda për lojtarin e Dukagjinit, Bujar Shabani.

Për këtë vendim kishte pasur reagime të shumta në kampin dukagjinas. Madje klubi nga Klina të dielën mbrëma doli me reagim zyrtar. Dhe situata ka ndryshuar të hënën.

“Komisioni për Vlerësim ka analizuar dhe vlerësuar situatën e krijuar në ndeshjen Gjilani – Dukagjini, ku gjyqtari Besfort Kasumi ka ndëshkuar lojtarin e Dukagjinit, Bujar Shabani me kartonin e dytë të verdhë dhe të kuq. Komisioni pas shikimit me kujdes të video-incizimit dhe përshkrimit të vëzhguesit të gjyqtarëve në raport, ka konstatuar se ndëshkimi me kartonin e dytë të verdhë dhe përjashtim nga ndeshja për Shabanin nuk ka qenë i drejtë. Kësisoj, Komisioni ka marrë vendim që lojtarit të lartcekur t’i hiqet kartoni i kuq i dhënë në këtë ndeshje dhe i njëjti ka të drejtë të aktivizohet në ndeshjen e radhës”, thuhet në njoftimin e publikuar në sajtin zyrtar të FFK-së.