FBK

Anulohet stinori në Superligën e Kosovës në basketboll

Stinori në Superligën e Kosovës në basketboll në konkurrencën e meshkujve dhe femrave është anuluar tërësisht dhe nuk do të shpallen kampionët.

Ky vendim është marrë nga Federata e Basketbollit të Kosovës të martën, për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi.

Derisa Superliga është anuluar, ligat tjera kanë mbetur të pezulluara së paku edhe një muaj. Do të shikohet situata dhe nëse ka përmirësim, atëherë do të vazhdohen garat në këto liga. E në rast se jo do të anulohen edhe ato.

“Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) duke i parë zhvillimet e fundit me pandeminë COVID-19, në bazë të kompetencave të veta statutare, sot unanimisht ka marrë vendim që të anulojë garat në Superligën e Kosovs dhe Superligën e femrave për edicionin 2019/20 dhe me këtë rast nuk do të shpallen kampionët e këtyre dy garave. Bordi i FBK-së do të vazhdojë të përcjellë zhvillimet që ndërlidhen me pandeminë COVID-19 dhe gjatë muajit prill do të vendos për vazhdimin apo jo të garave tjera në kuadër të FBK-së”, është thënë në njoftimin të Federatës së Basketbollit të Kosovës.