“Anulimi i Samitit të Parisit, sinjal për përfshirje të SHBA-së në dialog”

Anulimi i takimit të 1 korrikut në Paris në të cilin është dashur të takoheshin liderët e Kosovës e të Serbisë e të merrnin pjesë edhe kryetari francez Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel për të gjetur zgjidhjen e zhbllokimit të dialogut, është sinjal se SHBA-ja duhet të përfshihet më aktivisht në dialogun ndërmjet këtyre dy vendeve, ka thënë profesori amerikan Edward Joseph.

Joseph, ligjërues në Institutin për politikë ndërkombëtar në Universitetin John Hopkins në Washington, ka thënë për sektorin serbisht të Zërit të Amerikës se angazhimi më i madh i SHBA-së nuk do t’i kishte nxitur kërkesat e liderëve të Serbisë për pjesëmarrje më aktive të Rusisë në dialog.

Ka vlerësuar se SHBA-ja, BE-ja dhe qeveritë kryesore evropiane për zgjidhjen e problemit Kosovë- Serbi “duhet të kërkojnë këshilla nga njohësit e rrethanave dhe mund të kërkojnë alternativa për idenë e korrigjimit të kufirit të cilën liderët në Maqedoninë Veriore, në Mal të Zi dhe në Bosnjë e Hercegovinë e kanë hedhur poshtë si shumë të rrezikshme”, ka thënë Joseph për Zërin e Amerikës.

Ai ka shtuar se përpiqet për ndryshim të tërësishëm të qasjes ndaj zgjidhjet së problemit, sepse, tha ai, strategjia e deritashme bazohej në atë që Serbisë t’i jepej një kompensim për humbjen e Kosovës e kjo shpie në logjikën e këmbimit të territoreve ose të ndarjes dhe kjo hap çështje të kufijve në BeH dhe gjetkë në rajon.

“Alternativa e kompensimit të Serbisë dhe të Vuçiqit për humbjen e Kosovës është pikërisht veprimi kundërt i saj. Ruajtje e dinjitetshme e lidhjeve të përhershme të Serbisë me Kosovën, ndërsa në kontekstin e njohjes së ndërsjellë, procesi të përfundojë me ekzistimin e shtetit të Kosovës. Në mesin e shumë mënyrave të mundshme është edhe ideja e sigurimit të sovranitetit të Kishës Ortodokse Serbe dhe të pronës që e ka në Kosovë në jug të Ibrit”, citohet të ketë thënë Joseph .

Ai ka shtuar se, “dhënia e sovraniteti të plotë të Kishës do të ishte shenjë për serbët që jetojnë në Kosovë e në Serbi se janë përjetësisht të lidhur me këtë rajon dhe se janë të mirëseardhur për të mbetur në Kosovë”.

Lidhur me përfshirjen eventuale të Moskës në dialog, ai ka theksuar se “nuk beson se Rusia në këtë rast do të mundë të jepte ndonjë ndihmë”.