Anëtari i presidencës së BeH tregon detaje nga samiti në Slloveni: Debati Kosovë-Serbi ishte mjaft ‘i mundimshëm’

Zheljko Komshiq, anëtari i Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës ka treguar detaje interesante rreth takimit në samitin Brdo-Brijuni ku ishte e pranishme edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Në këtë drejtim, Komshiq ka treguar një moment të një situate jo të këndshme.

Sipas tij, bëhet fjalë për momentin kur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bashkë me kryetarin e Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Milorad Dodik madje menduan që të largohen nga takimi.

“Debati Serbi-Kosovë ishte mjaft i mundimshëm. Replikoi Dodik. Prishtina nuk nënshkroi. Ishte e mundimshme disa herë, madje edhe fëminore, kur Vuçiq dhe Dodik i thanë njëri-tjetrit: ‘A shkojmë? Veç më thuaj – dhe shkojmë’. Nuk ishte e këndshme. Ata ranë dakord të largohen nga takimi”, ka treguar Komshiq.

Dhe sipas tij,, siç shkruajnë mediat në Bosnje e Hercegovinë, përcjell Telegrafi, presidenti slloven Borut Pahor dhe ai kroat Zoran Milanoviq kishin “mundimin më të madh”, sepse sipas tij, duhej të dilej me një deklaratë të përbashkët.

“Ne duhet t’i dërgonim një mesazh BE-së se ka një konsensus mbi rrugën e mëtejshme drejt BE-së”, ka treguar ndër tjerash Komshiq.

Ndryshe, në Brdo të Sllovenisë është zhvilluar samiti i shefave të shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, që është në kuadër të nismës së përbashkët të Sllovenisë dhe Kroacisë.

Kjo nismë ka për qëllim të ndihmojë vendet e rajonit në procesin e integrimeve evropiane.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas përfundimit të Samitit të Brdo-Brijunit në Slloveni, ka folur gjithashtu për përplasjen që kishte me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Vuçiq insistonte që ndryshimi i kufijve të vendeve të Ballkanit Perëndimor t’ju lejohet vetëm shteteve anëtare të OKB-së”, ka thënë Osmani.

Sipas saj, përplasja ka ndodhur kur ajo dhe Shefik Xhaferoviq, anëtar i presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, kanë folur për krimet që Serbia ka kryer në Kosovë dhe në Bosnje.

“Kur ne folëm për këto krime, aty ndodhi kundërshtimi i Vuçiqit. Ne folëm qartë për krimet e kryera edhe në Bosnje edhe në Kosovë dhe kjo o pengoi Vuçiqin”, theksoi Osmani.

Në anën tjetër presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ishte larguar para përfundimit të samitit, me arsyetimin se ka takime në selinë e NATO-s në Bruksel.

Ai citohet t’u ketë thënë gazetarëve serbë se nuk ka pranuar që në konkluzat e takimit, të përmendet mosndryshimi i kufijve në rajon, pa u përfshirë edhe kërkesa e Serbisë, që kjo të nënkuptojë “mosndryshimin e kufijve të njohur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara”, që sipas tij, nuk është pranuar nga presidentja e Kosovës.

Në takim, përveç presidentes së Kosovës kanë marrë pjesë, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, Stevo Pendarovski i Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Vuçiq i Serbisë ndërsa nga Bosnja e Hercegvoina kanë qenë të ftuar të tre anëtarët e presidencës kolektive të këtij shteti, Shefik Xhaferoviq, Zheljko Komshiq dhe Millorad Dodik.

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, kishte thënë në prag të takimit se me rëndësi të madhe është që të formohet një qëndrim i përbashkët për zgjerim më të shpejtë të BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe në të njëjtën kohë edhe qëndrimi për reforma që duhet t’i kryejnë këto vende për ta arritur këtë qëllim.