Një ngjarje tragjike ka ndodhur pasditen e sotme në Brezovicë, ku një grua ka humbur jetën si pasojë e rrëshqitjes së një orteku.
Ballkani.info merr vesh se viktima është shtetase amerikane dhe se në momentin tragjik ishte me bashkëshortin e saj.
Lajmin për vdekjen e viktimës e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.
“Më datë 13.02.2024, rreth orës 15:35, kemi marrë një informacion se një person dyshohet se ka mbetur i vdekur gjatë skijimit në Qendrën e Skijimit në Brezovicë, në vendin e quajtur “Foleja e Shqiponjës”. Dyshohet se shkak i këtij incidenti ka qenë rrëshqitja e një orteku të borës”, ka thënë për Ballkani.info zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
Në anën tjetër, Deni Hameli nga shërbimi i kërkim shpëtimit malor të Kosovës, ka treguar për momentin kur janë njoftuar nga patrolla e skijimit dhe për gjetjen e shtetases amerikane. Ai ka kërkuar kujdes nga skijatorët që të skijojnë vetëm në shtigjet e rregulluara të borës, sepse mund të jetë shumë e rrezikshme. /Ballkani.info/







