Trajneri aktual i Napolit, Carlo Ancelotti ka zbuluar se ka qenë dy herë afër rikthimit te ish skuadra e tij, Milani, duke përfshirë këtu edhe kohën pas shkarkimit nga Bayerni sezonin e kaluar.
Ancelotti ka fituar dy Champions League dhe një titull kampion në Serie A gjatë periudhës 8 vjeçare te “Rosonerët”, ndërsa është lidhur vazhdimisht me rikthimin në Milano.
I pyetur nga “Corriere dello Sport” nëse ka qenë afër të drejtojë sërish Milanin, 59 vjeçari është përgjigjur se po në dy raste.
“Kur u largova nga Real Madridi, Galliani ishte i interesuar por unë kisha një problem në shpinë. Tjetrën herë me Marco Fassonen kishim një gjysmë takimi kur e përfundova aventurën te Bayerni”, deklaroi Ancelotti.
“Carletto” njihet për qetësinë e tij teksa ka treguar se çfarë e bën nervoz nga sjelljet e lojtarëve.
“Ata që nuk luajnë dhe pastaj stërviten keq më bëjnë ta humbi qetësinë. I kuptoj nëse janë nervoz por jo nëse nuk stërviten si duhet. Është egoizëm sepse e dëmton gjithë skuadrën. Vëmendja duhet të ndahet te të tjerët jo te vetja. Kam lexuar se 90% e amerikanëve të moshës mes 15-21 vjeË vuajnë nga stresi dhe arsyeja e saj është koncentrimi te vetja”, theksoi Ancelotti.
Napoli i Ancelottit ndodhet 8 pikë prapa Juventusit kryesues në Serie A, ndërsa më herët gjatë këtij muaji i dha lamturmirën Champions Leagues në fazën e grupeve.







