Ndeshja vendimtare

Ancelotti nuk synon të mbrohet ndaj Liverpoolit

Napolit i nevojitet vetëm një pikë për të siguruar kualifikimin për në fazën me eliminim direkt të Champions Leagues, por trajneri Carlo Ancelotti ka siguruar se skuadra e tij nuk do të mbrohet në ndeshjen e sontme ndaj Liverpoolit në “Anfield”.

Ancelotti ka kërkuar nga lojtarët e tij të përsërisin performancën e ndeshjes së parë të zhvilluar në muajin tetor, takim në të cilin napolitanët triumfuan me golin e Lorenzo Insignes.

Nënkampionët e Serie A kryesojnë grupin C me 1 pikë më shumë se PSG e vendit të dytë dhe 3 më shumë se Liverpooli, me “The Reds” që do të synojnë vetëm fitoren, ndërsa në krahun tjetër italianëve i mjafton edhe barazimi.

“Ne kemi bërë një punë të mirë deri më tani dhe e kemi një avantazh të vogël. Torta është përgatitur, nevojitet vetëm edhe qershia. Na duhet të hedhim hapin final drejt kualifikimit. Nuk kemi ardhur këtu për t’u mbrojtur por për të luajtur lojën tonë. Duhet të mbetemi të fokusuar dhe të shënojmë gol. Mendoj se ndeshjen e parë do të mund ta përfundonim në barazim, por fitorja na ka dhënë vetbesim shtesë dhe ne dëshirojmë që ta përsërisim atë performancë”, theksoi Ancelotti.

Klopp kërkoi nga tifozët e Liverpoolit të bëjnë atmosferë elektrizuese në “Anfield”, por Ancelotti beson se 3 mijë tifozët e Napolit do të jenë afër skuadrës ashtu si edhe 40 milionë të tjerë që do ta përcjellin ballafaqimin përmes TV-së.

Përballja Liverpool-Napoli zhvillohet sonte me fillim prej orës 21:00.