Përballja e mbrëmshme

Ancelotti mendon se Van Dijk duhej të përjashtohej nga loja

Trajneri i Napolit, Carlo Ancelotti është ndarë i pakënaqur me vendimin e gjyqtarit për të mos e përjashtuar nga loja mbrojtësin e Liverpoolit, Virgil Van Dijk, i cili ndërhyu ashpër në sulmuesin Dries Mertens.

Ancellotti e ka kritikuar mungesën e VAR-it, derisa Van Dijk u ndëshkua vetëm me karton të verdhë në fillim të ndeshjes pas ndërhyrjes në kyçin e këmbës të Mertensit.

Van Dijk pretendoi se e kishte marrë topin por për Ancelottin holandezi ishte me fat që mbeti në fushë.

“E kam parë në video, mendoj se ishte karton i kuq. Kishte shumë pyetje për VAR-in, kur do të vijë kjo teknologji në Champions League do të jetë shumë vonë. E dinim se Liverpooli do të na bënte presion, ata ishin shumë agresivë. Ishim të vetëdijshëm se intensiteti i kësaj ndeshjeje do të ishte ndryshe nga takimi i parë. Nuk mund të presësh që mund të krijoni 10 raste në udhëtim te Liverpooli, ne i krijuam një apo dy raste të mira por nuk e kishim fatin me vete”, nënvizoi Ancelotti.

Napolit do t’i mjaftonte edhe barazimi në takimin me “The Reds” por goli i Mohamed Salah i eliminoi napolitanët nga Champions League.