Ancelotti e quan gjeni Guardiolën

Carlo Ancelotti e ka përshkruar si gjeni dhe trajner fantastik Pep Guardiolën, para përballjes së skuadrës së tij, Everton, kundër Manchester City në Ditën e Vitit të Ri në Etihad Stadium.

Ancelotti e ka shtrirë ndikimin e tij të menjëhershëm në Everton, që prej se e zëvendësoi të shkarkuarin Marco Silva në postin e trajnerit më 21 dhjetor.

Evertoni e mundi 1-0 Burnleyn në Ditën e Krishtlindjes, para se ta mposhte Newcastle Unitedin 1-2 në udhëtim dy ditë më vonë, duke i ikur menjëherë zonës së rrezikshme për rënie nga Premierliga.

City, ndërkohë, është detyruar ta shikojë Liverpoolin duke e rritur epërsinë në krye të Premierligës, pas humbjes 3-2 ndaj Wolves të premten, e cila ishte një dështim tjetër në përpjekje për ta fituar titullin e tretë radhazi.

City ia doli ta largojë një pjesë të presionit pas fitores 2-0 ndaj Sheffield United të dielën, por i duhet ta vazhdojë ecurinë pozitive me fitore tjetër kundër Evertonit në formë të mërkurën.

Para këtij ballafaqimi, Ancelotti thotë se ai dhe Guardiola kanë shumë respekt për njëri-tjetrin.

“Pep është trajner fantastik. Kam marrëdhënie të mira me të. Jo shumë në ndeshje, por ne e takojmë njëri-tjetrin në konferenca nganjëherë. Kemi shumë respekt për njëri-tjetrin”, tha Ancelotti.

“Në raste të caktuara, ai është gjeni sepse gjithmonë përpiqet të bëjë diçka të veçantë në fushë”, shtoi ai.