Trajneri i Napolit

Ancelotti thotë se i duhet një mrekulli për të garuar me Juventusin

Trajneri i Napolit, Carlo Ancelotti nuk e ka përjashtuar nga gara për titull skuadrën e tij, përkundër se ka pranuar që i duhet një mrekulli për të rivalizuar kampionin në fuqi, Juventusin.

Pas 14 xhirove të zhvilluara në Serie A, Juventusi është lider me 40 pikë, 8 më shumë se Napoli, derisa “Zonja e Vjetër” e kishte mposhtur skuadrën e Ancelottit 3-1 shtatorin e kaluar në “Allianz Stadium”.

Kjo ishte vetëm humbja e dytë për Napolin këtë sezon, ndërsa në anën tjetër Juventusi është ndalur vetëm njëherë, në barazim 1-1 përballë Genoas, dhe ish trajneri i Bayernit dhe Real Madridit është i vetëdijshëm për vështirësinë e misionit për të lënë prapa “Bianconerët”.

“Juventusi nuk është skuadër e parritshme, ata janë shumë të fortë dhe kanë vazhdimësi. Në eksperiencat e mija në futboll kurrë nuk kam parë ndonjë skuadër që është e pamposhtur, por të rivalizosh me Juventusin të duhet një mrekulli. Nuk e di se çfarë do të arrijë Napoli këtë sezon por mendoj se skuadra ka shumë potencial të cilin e ka treguar në grupin e vështirë në Champions League”, deklaroi Ancelotti.

Në karrierën e tij si trajner, Ancelotti ka pasur vetëm një peridhë të gjatë të kaluar në një klub, atë te Milani ku qëndroi për 8 vite, por “Carleto” beson se te Napoli mund ta përsëris një gjë të tillë.

“Me të vërtetë do të më pëlqente, këtu janë të gjithë gjërat e përshtatshme për të provuar një projekt të ngjashëm. Më pëlqejnë shumë gjëra në Napoli, zgjohesh në mëngjes me një pamje të mrekullueshme, pastaj napolitanët të ndihmojnë shumë. E pëlqej atmosferën dhe ambientin këtu. Napoli të mirëpret dhe nuk të refuzon”, përfundoi Ancelotti.