Analisti Tahiri: Marrëveshja me KFOR-in s’ka asgjë të keqe, Kurti po e përdor politikisht

Kryeministri Albin Kurti gjatë ditës së sotme i ka dërguar një letër Kryeparlamentares Vjosa Osmani, ku i bën me dije se ka gjetur dy marrëveshje ndërkombëtare të cilat i konsideron sekrete mes Hashim Thaçit dhe ish- sekretarit të NATO-s, Anders Fogh Rasmuusen.

Sipas Kurtit, përmes kësaj marrëveshje kryeministri Thaçi në emër të Republikës së Kosovës, barti te KFOR-i të drejtën absolute të vetos mbi të gjitha misionet e ardhshme të FSK-së në veri të Kosovës, për një periudhë të paafatizuar.

Për këtë marrëveshje, Kurti ka thënë se mund të iniciohet shkarkimi i presidentit Thaçi.

Mirëpo njëjtë nuk mendon analisti, Ramush Tahiri.

Ai ka thënë se publikimi i marrëveshjes nga ana e Kurtit po përdoret politikisht. “Po shoh që po përdoret politikisht kundër Presidentit, por juridikisht nuk është gabim, përkundrazi është marrëveshja e parë e KFOR’it me Qeverinë e Kosovës”, ka thënë ai për Periskopin.

Tahiri ka thënë se marrëveshja e Thaçit me NATO’n nuk është shkelje e Kushtetutës.

“Unë s’po i shoh kritikat që po ja bëjnë Thaçit dhe mund të konstatojnë që nuk është shkelje e Kushtetutës sepse ka drejtë me ba marrëveshje dhe e ka ba në interes të vendit. Po misioni e NATO’s e kemi pasë më herët, nuk është që e ka pru këtu, dhe në këtë bazë nuk e zë që duhet me dalë në Kuvend”, u shpreh ai.