Analisti në Amerikë zbulon detaje nga biseda me Grenellin: Është i gatshëm t’i ftojë kosovarët në SHBA brenda 30 ditëve

Analisti shqiptar që jeton në Amerikë, Uk Lushi ka zhvilluar një bisedë me emisarin e SHBA’së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell. Siç bën të ditur ai, diplomati është shprehur se janë të gatshëm për të zhvilluar një takim të ri mes dy vendeve, pas 30 ditësh.

Kështu bëri të ditur analisti mbrëmë në një prononcim për “Ora News”, teksa dha detaje nga biseda që ai dhe një grup aktivistësh kanë pasur me emisarin Richard Grenell.

Nga ajo që tha Lushi, Grenell ua ka bërë të ditur se nga presidenti amerikan, Donald Trump ka marrë konfirmimin për të organizuar një takim të ri pas 30 ditësh mes dy palëve.

“Një grup aktivistësh së çështje kosovare patëm një video-konferencë më Grenellin dhe sipas raportimit të tij, ai kishte marrë mandatin nga Trump për të organizuar edhe një takim të dytë pas 30 ditësh. Sipas asaj që thotë Grenell, Trump, përkundër zhgënjimit të kësaj të shtune, ka thënë që të vazhdohet dialogu. Por nëse palët nuk duan dhe e sabotojnë këtë takim të ri, Shtëpia e Bardhë do të orientohet në çështje të tjera të politikës së jashtme. Sigurisht që SHBA nuk do ta shuaj interesimin për Kosovën, por do t’i kalohet departamentit të shtetit.”, tha Lushi.

Tutje, ai ka shtuar se është optimist për takimet e organizuara nga amerikanët, derisa theksoi se kosovarët duhet të jenë të bashkuar në këtë proces të rëndësishëm.

“Shqiptarët duhet të bashkohen me anën e duhur, bashkë me SHBA-në dhe BE-në, që këto të jenë me Kosovën, pasi Kosova ka qenë pala e dëmtuar e procesit. Meqë kërkohet një mbyllje e kësaj çështjeje, nuk ka asgjë të keqe që të ketë një koordinim mbarëshqiptar. Serbia duhet të pranojë se ka qenë ajo palë agresore dhe të hapë rrugë.”, tha Lushi tutje.

Kujtojmë se takimi mes Kosovës e Serbisë ishte paraparë që të mbahej në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor, por i njëjti u anulua pas propozim aktakuzës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ndaj presidentit Hashim Thaçi, i cili pritej të merrte pjesë atje.

Ndryshe, Thaçi dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli sipas kësaj aktakuze të propozuar, pretendohet të kenë kryer krime ndaj njerëzimit dhe krimesh lufte.

Përveç tyre akuzohen edhe disa persona të tjerë, por që nuk janë bërë të ditur emrat e tyre.

Vlen të theksohet se akuza nuk është proceduar dhe vulosur nga Gjykata Speciale.

Ndërsa, nga analistët vendorë e ndërkombëtarë është komentuar si ndërhyrje politike kundër bisedimeve në Shtëpinë  Bardhë që pritej të fillonin më 27 qershor.