Analistët thonë se edhe nëse bëhen shkëmbime territoresh nuk ka garanci për anëtarësim të Kosovës në OKB

Analistët në RTV Dukagjini, kanë hedhur dyshime se edhe një marrëveshje e mundshme që do të përfshinte shkëmbime territoresh, do ta garantonte anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Imer Mushkolaj ka thënë se shumica në Kosovë mendojnë se më mirë të mos ketë dialog se të ketë dialog e të vihen në tavolinë idetë për shkëmbime territoresh.

“Njerëzit i frikësohen ideve për shkëmbime territoresh. Idetë e zotit Thaçi shkaktuan frikë te qytetarët e Kosovës. Njerëzit janë shumë të frikësuar se do të ndodh shkëmbimi i territoreve”.

Mushkolaj thotë se njerëzit nuk e dinë çka nënkupton ky shkëmbim i territoreve dhe a është mirë apo keq.

“Hashim Thaçi dhe mbështetësit e tij nuk e kanë sqaruar se çka nënkupton ky shkëmbim i territoreve. Në momentin kur përmendet korrigjimi i kufijve, shkëmbimi i territoreve, ndarja e Kosovës, njerëzit janë të shqetësuar. Askush nuk e ka luksin ta pranoj se dialogu duhet të vazhdojë edhe me idenë e Hashim Thaçit për ndarje të Kosovës”, tha Mushkolaj.

Nga ana tjetër analisti Astrit Gashi ka thënë se edhe zoti Enver Hoxhaj që është i hapur ndaj ideve për kufijtë, ka hezitime se kjo marrëveshje garanton njohjen e Kosovës.

“Tek e fundit kush e detyron Kinën të mos e bllokojë anëtarësimin e Kosovës në OKB”.

Gashi ka thënë se edhe Marrëveshja e Vjenës e pakoja e Ahtisarit kishin parashikuar ndryshimin e rezolutës 1244 dhe anëtarësimin në OKB por e njëjta gjë nuk ndodhi.

“Vet politikanët që janë të kyçur në proces nuk po japin garanci për anëtarësim të Kosovës në OKB”, tha ndër të tjera Astrit Gashi.