Analistët japin parashikimet e tyre për komunat që mund të fitojë LVV në zgjedhjet lokale

Në prag të para fushatës së zgjedhjeve lokale në Kosovë, kanë filluar analizat se cilat parti kanë avantazhin në komuna të caktuara.

Analistët në “Debat Plus” kanë dhënë parashikimet e tyre për gjasat e partive nëpër secilën komunë të Kosovës.

Xhevdet Pozhari thotë se LVV në këto zgjedhje komunale do të fitojë shumë komuna pasi sipas tij edhe qeverisja në nivelin qendrorë e bënë të vetën.

Pozhari thotë se LVV do të fitojë Prishtinën, Ferizajin, Gjilanin, Prizrenin, Podujevë, Mitrovicë.

“Në Gjakovë mund të ketë gjasa nëse kandidon zonja Kusari apo Nagavci, ndryshe AAK ka elektorat të fortë në Gjakovë dhe Deçan e Junik. Në Lipjan fiton LDK-ja, ndërsa në Vushtrri po ashtu LDK ka kandidatë të fortë”.

Pozhari thotë se PDK do të ketë rezultat më të dobët në këto zgjedhje.

“LDK do të pretendojë deri në pesë komuna, ky hynë Lipjani, Vushtrria, Peja, Podujeva, flitet për Vitinë apo edhe Istogun”, ka thënë Pozhari.

Astrit Gashi thotë se është shumë e rëndësishme për LVV-në se me cilët kandidatë do të shkojë në zgjedhje.

“Në Gjilan LVV ka një gjasë shumë të mirë të fitojë, por do të varet nëse Lutfi Haziri do të futet në garë. LVV fiton Prizrenin pasi Shaqir Totaj nuk e ka përkrahjen e fuqishme të strukturave të partisë në këtë vend. Anton Quni po ashtu nuk mund ta mund Haskukën apo çfarëdo kandidati të LVV-së. Me Agim Bahtirin LVV Mitrovicën e fiton me lehtësi, por me ndonjë kandidatë tjetër, Bedri Hamza i PDK-së e merr Mitrovicën. Në Ferizaj Agim Aliu i PDK-së është shumë më i fortë se partia në këtë qytet. Në Prishtinë nëse futet në garë Arben Vitia, Përparim Rama i LDK-së nuk ka gjasa e as Daut Haradinaj. Me Liburn Aliun situata mund të jetë më ndryshe”, ka deklaruar Astrit Gashi.

Ilir Mirena thotë se qeverisja komunale më shumë kërkon menaxher se politikanë.

“Për këtë arsye LVV do ta këtë vështirë në këto zgjedhje”, tha Mirena.

Vehbi Kajtazi thotë se pjesa dërrmuese e kryetarëve aktual të komunave kanë treguar përformancë shumë të mirë në qeverisjet lokale.