Amir Rrahmani i ka munguar Kosovës në tri ndeshjet e fundit kualifikuese për Kupën e Botës 2026. Rrahmani mungoi “Dardanëve” në dy ndeshjet me Suedinë dhe Slloveninë. Kosova fitoi dy herë kundër suedezëve, ndërsa barazoi pa gola kundër sllovenëve.
Kapiteni Rrahmani i mungoi Kosovës për shkak të lëndimit të pësuar në duelin me Zvicrën në Basel muajin e kaluar.
Rrahmani ka munguar po ashtu në gjashtë ndeshje të Napolit.
Por Rrahmani ka thënë se ka përcjellë të gjitha ndeshjet e Kosovës dhe Napolit gjatë kësaj periudhe.
Ai ka thënë se i ka përcjellë me ankth dhe frikë ndeshjet e Kosovës dhe Napolit.
“Tani mund ta them – ankth i jashtëzakonshëm. Kur familjarët e mi më thoshin se ishin të emocionuar që më shihnin duke luajtur, nuk mund ta besoja, nuk mund ta kuptoja ndërsa luaja. Por tani i kuptoj ata në mënyrë të përkryer sepse vuaj kur jam në tribuna dhe akoma më keq kur i shoh shokët e mi të ekipit në televizor duke luajtur. Ekziston një emocion shumë i fortë, një frikë dhe ankth që nuk mund ta shpjegosh. Më ndodh si për Napolin ashtu edhe për ekipin tim kombëtar, Kosovën. Kur je në fushë, nuk mendon për këto gjëra sepse je i përqendruar në lojë, mendon për gjëra të tjera. Por kur nuk luan, e përjeton si një tifoz i flaktë. Janë emocione të ndryshme, por sigurisht pothuajse po aq intensive”, ka thënë Rrahmani për mediumin lokal të Napolit “Cronache di Napoli”.
Ai nuk e di nëse do të kthehet në fushë në derbin kundër Interit më 25 tetor. Ai thotë se është duke punuar të rikthehet sa më shpejtë në fushë.







