Anke Konrad

Ambasadorja gjermane thotë se në Kosovë po bëhen provokime të pa arsyeshme

Ambasadorja e Gjermanisë në Serbi, Anke Konrad, beson se në Kosovë po bëhen provokime të pa arsyeshme, të cilat mund të shkaktojnë incidente të reja në terren.

Duke folur në seancën e Komisionit për Punë të Jashtme në Serbi, diplomatja gjermane, ka kërkuar që Kosova dhe Serbia të fillojnë rrugën e normalizimit, raporton Radio Televizioni i Serbisë, RTS.

“Ne po shohim provokime të pa arsyeshme, e gjithë kjo krijon mundësi të reja për incidente. Ne duam të fillojmë në rrugën e normalizimit”.

Ajo ka kërkuar formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe për serbët në Kosovë në atë mënyrë që të njëjtit të kenë një jetë normale në Kosovë.

Policia e Kosovës të premten raportoi për një shpërthim me një granate dore në orën 22:40 në Veri të Kosovë duke theksuar se “përveç dëmeve materiale nuk raportohet për të lënduar”, përcjell AP.

Për shpërthimin në fjalë reagoi edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili pretendoi se shpërthimi i një granate dore në Mitrovicë të Veriun mbrëmjen e 21 shtatorit, ishte në shenjë revolte për arrestimin e tre serbëve, nën dyshime për krime lufte.

“Krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë do të ndiqen deri në fund ndërsa hedhja e granatës ushtarake të dorës nga grupet kriminale nuk mund të zmbrapsë drejtësinë”, tha Sveçla.

Sveçla ndër të tjera se “inspirimi, mbështetja dhe urdhri” për shpërthimin “kanë ardhur nga Aleksandër Vuçiq”, ani pse i njëjti nuk ofroi dëshmi për këto pretendime.

Në lidhje me shpërthimin në Veri, reagoi edhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili u shpreh i tronditur nga, siç shkroi ai, shpërthimet në shumë pjesë të Kosovës, ani pse Sveçla, njoftoi vetëm për një shpërthim të një granate dore në Mitrovicë të Veriut gjatë mesnatës në “Lagjen e Boshnjakëve”.

Në anën tjetër Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano tha se blloku po monitoron situatën me shumë kujdes.

“Sigurisht ne jemi të shqetësuar me vazhdimin e situatës në të cilën nuk ka shtensionim të qartë”, tha Stano duke shtuar se BE-ja është në kontakt me autoritetet kompetente dhe “ne do të reagojmë kur ta vlerësojmë”.

Njoftimi për shpërthim në Veri vjen në kohën kur në këtë pjesë të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – tensionet vazhdojnë të jenë të larta që nga fundi i majit.