Ambasadori Kosnett: Ju sigurojë të gjithëve, Amerika kurrë nuk do të heqë dorë nga Kosova

Maratonë diskutimesh, propozime dhe reflektime mbi angazhimin e diasporës nga profesionistë shqiptarë kudo në botë përmbyllën ditën e parë të konferencës Diaspora Flet 2020. Hapja zyrtare u zhvillua me një bisedim të përqendruar nga ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe u përmbyll me një debat interaktiv, në mes të dy Ambasadorëve amerikanë në Kosovë dhe Shqipëri, përkatësisht Philip Kosnett dhe Yuri Kim.

Dita e parë e konferencës u përmbyll me debatin në mes ambasadorëve amerikanë në Kosovë dhe Shqipëri, përkatësisht Kosnett dhe Kim.

Sipas komunikatës, të dy u shprehën të gatshëm të facilitojnë iniciativa që lidhen me kthimin e profesionistëve jashtë vendit apo edhe nisma të tjera. Sipas tyre, cilado administrate e cila është në krye të shtetit nuk do të ketë ndikim në raportet në mes të shqiptarëve dhe amerikanëve, ngase sipas tyre do të jenë gjithmonë të lidhura ngushtë.

Ambasadori Kosnett tha se dëshiron që t’i sigurojë të gjithë se Amerika kurrë nuk do të heqë dorë nga Kosova.

Ai shtoi se dëshiron që të lë shenjë edhe në angazhimin e diasporës përmes një programi të veçantë që angazhon të rinjtë jashtë vendit.

Ndërkohë, ambasadorja Kim foli për situatën në Shqipëri dhe rolin e diasporës shqiptare. Kjo e fundit, u shpreh Kim, duhet të luaj rol të rëndësishëm në zhvillimin e institucioneve demokratike, me theks ato të drejtësisë. “Diaspora duhet të fokusohet në disa shtylla dhe t’i shtyj përpara ato”, përfundoi Kim.