Ambasadori Hasani: Po presim listën e mjekëve nga MSH-ja, për t’u vaksinuar në Kukës

Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani tha se janë në pritje të përgjigjes nga Ministria e Shëndetësisë së Kosovës për listën e mjekëve që kanë qenë në vijën e parë të frontit me pandeminë COVID-19, e që janë ftuar të vaksinohen në Kukës.

Hasani në një deklaratë ka thënë se vaksinimi duhet të bëhet në mënyrë të organizuar, për çka u shpreh se duhet të ketë një listë të punonjësve shëndetësorë, por që nuk kanë marrë përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë së Kosovës.

“Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka premtuar dhe ka kërkuar që të vijnë ta marrin vaksinën në Kukës. Përgjegjësia është e Ministrisë së Shëndetësisë të vijë në mënyrë të organizuar të merr vaksinën në Kukës. Ministria e Shëndetësisë së Kosovës nuk ka dhënë një përgjigje dhe jemi në pritje të një përgjigje të Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës për të shkuar në mënyrë të organizuar”, u shpreh Hasani për Telegrafin.

Hasani u shpreh se në formën vullnetare ashtu siç po shkojnë mjekët nga Kosova për ta marrë vaksinën është problem pasi pas pasur një listë të mjekëve që kanë qenë në vijën e forntit, dikush mund të mbetet pa vaksinuar.

“Në formën vullnetare është një problem tjetër, pasi forma vullnetare mund t’i lë disa me vaksina e disa pa vaksian. Kërkesa ka qenë nga kryeministri Rama që personeli që është në vijën e frontit, në vijën e zjarrit të vijnë e ta marrin vaksinën”, tha Hasani.

Gjatë ditës sot, kryetari i FSSHK-së, Blerim Syla deklaroi se dy mjek nga Kosova të cilën shkuan sot për tu vaksinuar në Kukës, nuk u është mundësuar të vaksinohen.

Ata janë kthyer mbrapsht, pasi nga atje u kanë thënë se po presin listën e mjekëve që janë në vijën e parë të frontit në luftën me coronvirusin, e cila do të duhej tu dërgohej nga Ministria e Shëndetësisë së Kosovës.

Në lidhje me këtë, Telegrafi ka dërguar pyetje në Ministri të Shëndetësisë dhe po pret për të marrë përgjigje.

Gjatë ditës së djeshme, mjeku kosovar Blerim Feka e kaloi kufirin për tu imunizuar kundër coronavirusit.

Pasi regjistrohet, gjinekologu ka për t’u vaksinuar me kurën anti-covid të AstraZeneca për çka thotë se nuk hezitoi aspak.

“Shumë lehtë dhe afër. Më pritën përzemërsisht dhe më bën vaksinën kundër Covid-19. Jam i lumtur. I ftoj të gjithë kolegët që të shfrytëzojnë mundësinë për tu vaksinuar kundër Covid-19”, tha ai.

Me këtë vaksinë këto ditë në Shqipëri ka filluar imunizimi i mësimdhënësve ndërsa vetëm në Kukës janë vaksinuar mbi 40 të tillë.

Ata që morën vaksinën u siguruan nga përgjegjësit e vaksinimit se kjo dozë nga skandinavia nuk ka efekt anësor trashjen e gjakut siç u raportua në disa vende europiane vendet e fundit.

Ndryshe, pas mbërritjes së më shumë se 38 mijë vaksinave të mbërritura në Shqipëri nga kompania AstraZeneca, ditën e sotme pritet që të nisi vaksinimi i të gjithë mësuesve.

Vaksinimi për mësuesit kishte nisur me një grup të vogël të cilët morën dozën e parë gjatë fundjavës.

Me këtë rast kryeministri i Shqipërisë i bëri thirrje edhe mjekëve të Kosovës që të shkojnë për të marrë vaksinën në Kukës.

“Ndërkohë që, jemi gati të organizohemi me Kosovën për t’i dhënë mundësinë mjekëve dhe infermierëve të spitaleve COVID-19, që nga spitali i Prishtinës. që të vijnë dhe vaksinohen në Kukës. I presim me shumë kënaqësi që nesër dhe do të lidhemi me strukturat përkatëse. Do jetë e rëndësishme, që edhe në Kosovë të thyhet kjo pengese e tmerrshme e mungesës së dozës së parë”, ishte shprehur Rama.