Ambasadori gjerman reagon ashpër pasi që Lista Serbe nuk u certifikua për zgjedhjet në veri

Ambasadori gjerman në Prishtinë, Christian Heldt, ka reaguar sot ashpër ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pas vendimit të këtij të fundit që të mos certifikojë kandidatët e Listës Serbe që do të garonin për kryetar në zgjedhje e parakohshme në katër komunat veriore.

Heldt ka thënë se nuk e kupton se cila është mençuria politike e një vendimi të tillë, dhe pyet se pse ende KQZ-ja nuk është e kompletuar.

“Duke mos qenë në gjendje të komentojë aspektin ligjor të kësaj çështje momentalisht, pyes veten se cila është mençuria politike në ndërmarrjen e një hapi të tillë”, ka thënë ai.

Ai thotë se problem tjetër në KQZ që po komplikon edhe më tej gjërat, është mos kompletimi i anëtarëve të plotë.

“Sikur i gjithë ky komplikim i situatës të mos mjaftonte. Pse KQZ-ja ende nuk është e kompletuar”, ka shkruar ai në fund të reagimit të tij.

Mos certifikimi i kandidatëve të Listës Serbe ka ardhur si pasojë e refuzimit të dy anëtarëve të KQZ-së, nga Lëvizje Vetëvendosje, Adnan Rrustemi dhe Nazlije Bala.

Ata kënë thënë se nuk pranojnë certifikimin e tyre, përderisa ata nuk e njohin shtetin e Republikës së Kosovës.

Pas këtyre zhvillimeve, reagime të ashpra kanë ardhur edhe nga Beogradi. Ka qenë fillimisht Marko Gjuriq i cili ka drejtuar akuza të shumta në drejtim të Lëvizjes Vetëvendosjes, ndërkohë presidenti i Serbisë, Alekander Vuçiq, ka thënë se për një gjë të tillë do të ankohet edhe tek kancelarja gjermane, Angela Merkel, në takimin e 29 prillit.