Ambasadori britanik: Të kemi prokurorë që nuk janë të ndikuar nga politika

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruari O’Connell dhe kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Bahri Hyseni, sot pasdite mbajtën një konferencë të përbashkët për media me qëllim për ta avancuar dhe forcuar edhe më tej sistemin e prokurorial në Kosovë.

Bahri Hyseni tha se bashkëpunimi me Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar përmes ekspertëve britanikë është një hap konkret për sistemin prokurorial.“Për dy vitet e ardhshme me Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar do të bashkëpunojmë për rekrutimin e prokurorëve të ri. Po punojmë në zhvillimin e transparencës dhe për avancimin e llogaridhënies”, tha Hyseni duke shtuar se qasja e ekspertëve britanikë do të jetë në të gjitha proceset e përzgjedhjes së prokurorëve në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Ambasadori O’Connell theksoi se Ambasada ka ofruar mbështetjen për rekrutimin e prokurorëve në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

“Projektet në përgjithësi që i kemi, ne i kemi ofruar mbështetje në rekrutim edhe përzgjedhjes së prokurorëve të rinj. Është shumë e rëndësishme për qytetarët të besojnë që prokurorët e tyre që kanë një përgjegjësi shumë të rëndësishme të zgjidhen në bazë të meritës. Të kemi njerëz shumë të kualifikuar duke mos pasur ndikim politik nga jashtë”, ka thënë ai. /Ballkani.info/