Ambasadori i Gjermanisë

Ambasadorët e QUINT’it i përgjigjen brutalisht qeverisë- i ftojnë në takim OJQ’të serbe për të cilat Bislimi i reagoi Lajçakut

Dy ditë pasi zëvendëskryeministri Besnik Bislimi drejtoi kritika ndaj Emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pasi ai u takua me disa përfaqësues të organizatave joqeveritare serbe,  Ambasadorët e QUINT-it i janë kundërpërgjigjur Qeverisë së Kosovës duke ftuar në takim të njëjtat OJQ.

Pamje nga takimi ka publikuar Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, i cili i ka quajtur “partnerë të besueshëm”.

“Ambasadorët e QUINT-it [SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Italia] dhe BE-së vlerësojnë mundësinë për t’u takuar sot me zëvendësin e Avokatit të Popullit dhe përfaqësuesit e komunitetit serb të Kosovës – të cilët janë partnerë të besueshëm në përpjekjet tona të përbashkëta për përmirësimin e të drejtave të njeriut dhe marrëdhënieve ndëretnike për Kosovën”, ka shkruar Rohde, në rrjetin social X, që më herët njihej si Twitter.

Sipas Bislimit, delegacioni që ka takuar Lajcak përbëhet kryesisht nga organizata joqeveritare serbe nga Kosova që sipas tij në mënyrë aktive dhe hapur avokojnë kundër integrimit të serbëve lokalë në jetën ekonomike dhe sociale të Kosovës.