Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Sarajevë ka bërë një njoftim në lidhje me paradën e Ushtrisë Serbe në Prijedor.

Ambasada Amerikane theksoi se qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës kanë të drejtë të nderojnë me respekt të gjitha viktimat e pafajshme të luftërave të kaluara, transmeton Ballkani.info.

“Kjo përfshin viktimat e krimeve dhe masakrave të tmerrshme të kryera nga forcat e Shtetit të Pavarur të Kroacisë (NDH) dhe nazistët pas ofensivës partizane në Kozar në vitin 1942, si dhe viktimat e gjenocidit të kryer në dhe rreth Srebrenicës nga elementë të Ushtrisë së Republika Srpska (VRS) në korrik të vitit 1995”, thuhet në reagim.

Kjo ambasadë vuri në dukje se të gjithë kanë detyrimin të pranojnë të vërtetën për këto dhe krime të tjera të luftës të kryera në territorin e Bosnjë-Hercegovinës, si dhe të nderojnë viktimat. SHBA shtoi se kjo vlen veçanërisht për zyrtarët boshnjakë, kroatë, serbë dhe të tjerë në të gjitha nivelet e qeverisjes.

“Fatkeqësisht, disa zyrtarë të qeverisë së RS vendosën të instrumentalizojnë vizitën e kadetëve policorë dhe ushtarakë serbë në Bosnje-Hercegovinë më 6 dhe 7 korrik, në mënyrë që të rrisin tensionet dhe të përçajnë më tej popullin e Bosnjë-Hercegovinës. Retorikë dhe aktivitete qëllimisht provokuese , veçanërisht në Prijedor, gjatë së njëjtës javë përkujtimore të gjenocidit në Srebrenicë, ishin të papërgjegjshme dhe minuan përpjekjet për të promovuar pajtimin”, theksoi ambasada amerikane. /Ballkani.info/