Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovës ka thënë se retorizmi nxitës dhe revizionizmi historik që kemi parë kohët e fundit në lidhje me ngjarjet e vitit 1999 janë të papranueshme.

Kjo ambasadë ka kërkuar të kihet kujdes ndaj fjalimeve selektive në bazë të orientimit politik ose komunitetit.

“Liria e fjalës ka qenë prej kohës një parim themelor i demokracisë”.

“Ngjarjet e kësaj jave tregojnë se sa e rëndësishme është që Kosova dhe Serbia të kthehen në tryezë dhe të përqendrojnë energjitë e tyre mbi të ardhmen duke normalizuar marrëdhëniet”.

Ky reagim vije pas deklaratave të fundit luftënxitëse të krerëve të shtetit serb rreth mohimit të masakrës së Reçakut. Duke nisur nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq e deri tek ministrat e tij, u deklaruan duke mohuar kështu krimin gjenocidal të Serbisë ndaj 45 shqiptarëve të ndodhur më 15 janar të vitit 1999.

“Shkak për agresionin në vendin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi, Reçaku i trilluar, dhe ishin pikërisht ata, shqiptarët terroristë, të cilët e kanë trilluar gjithë këtë, kanë kryer krimet më të rënda në Kosovë e Metohi, për të cilat deri në ditën e sotme, askush nuk është përgjigjur. Kanë kryer krime para agresionit të NATO-s, vranë serbë të mirë shtëpiakë dhe policë në vendet e tyre të punës. Fushatën e tyre të përgjakshme e vazhduan edhe gjatë agresionit dhe pas të ashtuquajturit misionit paqësor në Kosovë e Metohi”, kishte thënë Ivan Todosijeviq, sa ishte Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal në Kosovë.

E kjo deklaratë ka bërë që këtë të enjte, ish-ministri Todosijeviq, të dënohet me dy vjet burgim.

Me akuzat për “nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”, Todosijeviqi është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

E derisa vetë Todosijeviqi nuk ishte për të dëgjuar aktgjykimin, kryetari i trupit gjykues ka bërë të ditur se ekzekutimi i dënimit me burg do të bëhet pasi aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm. /Ballkani.info/