Ambasada amerikane ‘injoron’ Kurtin, publikon foto vetëm nga takimi me Osmanin

Para pak minutash, Ambasada e SHBA-së ka publikuar fotografi nga takimi i zyrtarëve amerikanë në Kosovë.

Gjatë ditës së sotme për vizitë zyrtare qëndruan Ndihmës Sekretarja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, të cilët u takuan me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Ambasada amerikane në një postim në profilin zyrtar në Facebook, ka publikuar një njoftim ku ka cituar deklaratën e Ndihmës Sekretares së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, si dhe mesazhet që ajo i përcolli, raporton Demokracia.com.

Por, në njoftimin e ambasadës bien në sy të publikuara dy fotografi, por vetëm nga takimi me presidenten Vjosa Osmani dhe asnjë fotografi nga takimi me kryeministrin Albin Kurti, pavarësisht se Karen Donfried dhe Gabriel Escobar zhvilluan takim edhe me të.