Mërgimtari i njohur që jeton dhe vepron në Zvicër, Shaip Kadriaj, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale pas zhvillimeve të sotme në Kuvendin e Kosovës.

Kadriaj, duke iu referuar përplasjeve dhe gjuhës së përdorur gjatë seancës, ka shkruar:

“Aman, mos na identifikoni me atë shqipfolësin e Heilbronit! Nga Durrësi drejt Zvicrës!”

Postimi i tij lidhet me mërgimtarin Haxhi Gashi, i cili jeton në Heilbronn të Gjermanisë dhe që sot ishte i pranishëm në ambientet e Kuvendit të Kosovës, ku pati përplasje verbale me deputetë të opozitës.

Gjatë incidentit, Gashi u përfshi në një përplasje të tensionuar dhe, sipas pamjeve të publikuara nga seanca, pati shkëmbime të ashpra verbale edhe me deputetë, përfshirë deputeten Sala Jashari.

Reagimi i Shaip Kadriajt vjen në një kohë kur sjellja e disa personave nga diaspora në hapësirat e Kuvendit ka nxitur reagime dhe debate në rrjetet sociale.

Me shprehjen “mos na identifikoni me atë shqipfolësin e Heilbronit”, Kadriaj duket se kërkon të distancohet nga sjellja e personit në fjalë dhe të theksojë se një individ nuk duhet të përfaqësojë mërgatën shqiptare në përgjithësi.