Allegri zbulon se Ronaldo nuk do të pushohet për ndeshjen me Empolin

Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri nuk ka plan ta pushojë yllin e skuadrës, Cristiano Ronaldon për takimin e nesërm me Empolin, ndërsa kërkoi të shfrytëzohen më mirë rastet e krijuara.

Ronaldo ka shënuar 5 gola në 11 paraqitje me fanellën e Juventusit prej se u transferua në korrik nga Real Madridi. Ndërsa Juventusi ka 11 fitore nga 12 ndeshje këtë sezon në të gjitha kompeticionet, me barazimin e vetëm të koleksionuar në fundjavën e kaluar kundër Genoas.

4 ditë pas ndeshjes me Manchester United në “Old Trafford” për Champions League, Allegri nuk e ka ndërmend ta pushojë lojtarin kryesor të Juventusit në një tjetër udhëtim, atë drejt Empolit nesër.

“Ai do të luajë. T’i marrim gjërat hap pas hapi. Unë nuk mund ta di se çfarë do të ndodhë pas një muaji, kemi dy ndeshje në Serie A dhe pastaj duhet ta sigurojmë kualifikimin në fazën tjetër të Champions League ndaj Unitedit. Pasimet tona në fazën e fundit të fushës duhet të jenë më precize sepse nuk shënojmë shumë në krahasim me sa krijojmë”, deklaroi Allegri.

Trajneri italian kërkoi përqendrim nga futbollistët e tij teksa tha se Empoli është një skuadër e rrezikshme që di të dënojë në situata të përgjumjes, ndërsa njoftoi se njëri prej Cancelos ose Alex Sandros do të pushojë kurse Chiellini nëse është në gjendje të mirë fizike do të aktivizohet.