Ndikimi që Marouane Fellaini pati pas inkuadrimit në lojë në fitoren 1-2 të “Djajve të Kuq” ndaj Juventusit, është lavdëruar nga trajneri i këtyre të fundëve.

Massimiliano Allegri beson se mesfushori belg e bëri diferencën, teksa para futjes së tij në lojë rezultati ishte në favor të “Bianconerëve” që kishin shënuar me Cristiano Ronaldon, por pastaj perla e Matas dhe autogoli i Alex Sandros i dhanë 3 pikët Manchester Unitedit.

“Në ndeshjen e parë ata nuk e kishin Fellainin dhe ne e shfrytëzuam mungesën e tij në maksimum. Sonte ai luajti dhe menjëherë prania fizike e tij u vërejt duke i kontrolluar topat e gjatë, pavarësisht se u munduam të luajmë për tokë. T’i shkaktojmë ato gjuajtje të lira ishte gabimi më i madh i yni, ndodhi dhe e paguam shtrenjtë, duhet të mësojmë nga këto gabime”, tha Allegri.

Juventusin e pret një tjetër ndeshje e vështirë teksa të dielën udhëton në “San Siro” për t’u ballafaquar me Milanin në derbin e javës së 12-të në Serie A.