Allegri thotë se Cristiano Ronaldo e meritoi Topin e Artë
Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri beson se Cristiano Ronaldo e meritoi ta fitojë Topin e Artë para Luka Modricit, por sipas 51 vjeçarit kjo gjë duhet ta motivojë edhe më shumë yllin portugez.
Ronaldo e përfundoi garën në vendin e dytë prapa ish bashkëlojtarit te Real Madridi, Luka Modric, derisa podiumi u kompletua me sulmuesin e Atletico Madridit, Antoine Griezmann.
Modric dhe Ronaldo ishin lojtarët kyç të “Los Blancos” që e udhëhoqën klubin madrilien drejt titullit të tretë rresht në Champions League, ndërsa mesfushori kroat dërgoi kombëtaren e tij deri në finalen e Kampionatit Botëror ku më pas u mposht 4-2 nga Franca.
Allegri është i mendimit se trofeu i 6-të njëherësh edhe numër rekord i Topit të Artë për Cristiano Ronaldon do të ishte mëse i merituar.
“Mendoj se ai e ka merituar ta fitojë Topin e Artë për atë çfarë ka bërë me Real Madridin sezonin e kaluar. Në Kupën e Botës me Portugalinë nuk mund të shkonte më larg se faza me eliminim direkt. Por kjo mund të jetë motivim shtesë për Ronaldon që të bëjë edhe më mirë këtë sezon dhe të fitojë Topin e Artë me Juventusin edicionin e ardhshëm”, tha Allegri.
Në të kaluarën Juventusi ka pasur 6 lojtarë që e kanë fituar Topin e Artë, me Pavel Nedved që ishte i fundit në vitin 2003.
Në anën tjetër, Ronaldo këtë stinor me fanellën e “Bianconerëve” ka shënuar 11 gola në 18 paraqitje në të gjitha kompeticionet.