Lajmë të mira nga infermieria e Juventusit vetëm dy ditë nga sfida me Milanin, që mund të vlejë për fitimin matematikisht të titullit kampion.
Kundër kuqezinjve Allegri mund të mbështetet edhe te Paulo Dybala, Mandzukic dhe Spinazzola, tashmë të riaftësuar plotësisht.
I janë bashkuar grupit Douglas Costa, Khedira dhe Cuadrado dhe orën në vijim do të jetë më e qartë nëse do të jenë 100% të gatshëm për të luajtur në takimin e së shtunës.
Sa i përket Ronaldos, ai ka punuar i veçuar dhe nuk mund të flitet për rikthimi të shpejtë të portugezit. Objektivi është që CR7 të jetë për takimin e parë çerekfinal të Championsit me Ajaxin.
Dalëngadalë Allegri po i mbledh të gjitha “pjesët” në këtë fund sezoni. Kampionati praktikisht është vënë në kasafortë, kështu që vëmendja është përqendruar në përballjen e dyfishtë me “harkëtarët”.
Khedira mund të jetë riaftësuar plotësisht e për rrjedhojë parashikohet grumbullimi i tij për Milanin, ndërsa Douglas Costa do të jetë gati për të mërkurën. Cuadrado pritet të vihet në dispozicion të Allegrit për SPAL-in, ndërsa mungesa të sigurta përveç Ronaldos janë edhe Barzagli dhe Caceres.







