Trajneri i juves

Allegri: Në Itali bëhet presion ndaj gjyqtarëve

Trajneri i Juventusit ka drejtuar kritika indirekte tek presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis.

Massimiliano Allegri u shpreh i kënaqur me lojën e skuadrës së tij në ndeshjen ndaj Atalantës, që u mbyll në barazim 2 -2, duke përmendur faktin se skuadra e tij luajti me 10 lojtarë për pjesën dërrmuese të pjesës së dytë.

Ai po ashtu nuk harroi të ngacmonte presidentin e Napolit, De Laurentiis, i cili pak ditë më parë bëri disa deklarata mbi mospëlqimin e tij ndaj gjyqtarit Paolo Mazzoleni.

“Gjyqtari, Luca Banti bëri një punë të mirë. Këtu në Itali, presidentët, trajnerët dhe zyrtarë të lartë flasin shumë për gjyqtarët”, theksoi Allegri.

“Unë po të doja mund të flisja për ndeshjen e sotme ose atë ndaj Romës, ku na ndodhi një episod i çuditshëm (goli i anuluar i Douglas Costas). Nëse do flisja do të bëhej një zhurmë e madhe”. “Ndonjëherë më ndodh që të humb durimin, por nëse duam që e gjithë Italia të përmirësohet na duhet më shumë edukatë dhe elegancë. Kur ndodhin incidente të gjithë “qahemi” se përse nuk vijnë njerëz në stadiume. Më duket sikur askush nuk ka dëshirë që të përmirësojë futbollin italian”, theksoi ai.

Allegri edhe ashtu nuk ka për çfarë të ankohet pasi skuadra e tij ka lënë shumë prapa kundërshtarët dhe po marshon drejt titullit të kampionit.