Aftësia për t’u rikthyer te fitorja në ndeshjen me Milanin pas disfatës nga Manchester Unitedi në mesjavë, e ka bërë të lumtur trajnerin e Juventusit, Massimiliano Allegrin i cili ka pasur lëvdata për lojtarët e tij.

Golat e Mario Mandzukic dhe Cristiano Ronaldos i siguruan 3 pikët “Bianconerëve” duke vendosur rekord në Serie A për numrin e pikëve të grumbulluara pas 12 javëve, e që janë 34 nga 36.

“Humbja ndaj Manchester Unitedit na ka bërë mirë dhe kjo ishte një përgjigje e mirë nga skuadra. Ishim pak të shkundur nga ai rezultat por djemtë e treguan kualitetin e tyre. Shkaktuam penallti pas një kundërsulmi të tyre, por Szczesny bëri një pritje të mirë. Ky triumf është një hap i madh sepse tani kemi krijuar një distancë prej 9 pikësh me Interin ndërsa e kemi ruajtuar epërsinë me 6 pikë nga Napoli”, deklaroi Allegri.

Gonzalo Higuain nuk ishte në natën e tij mbrëmë në ballafaqimin e parë me ish skuadrën e tij, derisa nuk arriti ta shndërrojë në gol penalltinë e fituar, sikur mos të mjaftonte kjo 10 minuta para fundit të takimit u përjashtua nga loja me karton të kuq pas fjalosjes me gjyqtarin e takimt, Paolo Mazzoleni.