Trajneri i Juventusit

Allegri i kënaqur me kualifikimin përkundër humbjes nga Young Boys

Juventusi arriti ta përmbyllë grupin H si lider pavarësisht humbjes 2-1 në udhëtim te Young Boys, ndërsa për trajnerin Massimiliano Allegri ishte e rëndësishme të mbërrihej objektivi në një natë që sipas tij shkoi gjithçka keq.

“Zonja e Vjetër” rrezikoi shumë me humbjen ndaj Young Boys, për shkak se nëse Manchester Unitedi do të fitonte kundër Valencias, do të ishte lider i grupit, por “Djajtë e Kuq” e humbën këtë rast pasi u mposhtën 2-1 nga spanjollët në “Mestalla”.

“Ne e arritëm objektivin tonë duke e kaluar grupin, edhe në një natë ku dukej se gjithçka po shkonte keq. Ne nuk i shfrytëzuam shumë raste dhe dhuruam një penallti, kështu që në fund të ditës ishte e drejtë të humbim. Goli i anuluar i Dybalas ishte pozicion jashtë loje, sidoqoftë edhe ai gol nuk është se do të ndryshonte ndonjë gjë”, nënvizoi Allegri.

Dybala e nisi ndeshjen si rezervistë, por pati një impakt të menjëhershëm kur u aktivizua teksa shënoi golin e vetëm të “Bianconerëve”.

Sulmuesi argjentinas tha se kjo humbje është e rëndë për t’u pranuar, por shtoi se do të nxjerrin mësime nga kjo disfatë ndaj klubit zviceran.