Allegri: Do t’i kërkoj UEFA-s të na dërgojë direkt në finale

Allegri i është përgjigjur me shaka të gjithë atyre që thonë se “Juventusi është finalist i mundshëm i Champions League”.

Për shumë kë, Juventusi është favoriti numër një për ta fituar Ligën e Kampionëve këtë edicion, sidomos pas transferimit të Cristiano Ronaldos nga Real Madridi.

Max Allegri e ka pranuar se skuadra e tij është në pozitë të mirë në Champions, por që për të arritur në finale – duhet shumë punë dhe mund.

Në 1/8 e Champions League, Juve do të përballet me Atletico Madridin, një skuadër që ka fituar respektin e të gjithëve sipas Allegrit, i cili gjithashtu ka edhe disa fjalë për kritikët pas eliminimit nga Kupa e Italisë.

“Juventusi ka fituar shtatë tituj të Ligës në shtatë vitet e fundit dhe ka arritur dy herë në finale të Ligës së Kampionëve”, tha Allegri.

“Kur mora skuadrën, kishte frikë nëse do të mund ta mposhtim Malmon, por unë mendova se me këtë ekip, mund të arrijmë në finale dhe të fitojmë Ligën e Kampionëve”.

“Atletico është në të njëjtin nivel me Juventusin, sepse edhe ata kanë luajtur dy finale në vitet e fundit. Nëse do të eliminohemi, atëherë do t’i pranojmë kritikat”.

“Në Evropë janë 6 apo 8 super ekipe që mund të arrijnë në gjysmëfinale. Kam dëgjuar që Juventusi tashmë është finalist, kështu që në këtë rast, do t’i kërkoj UEFA-s të na dërgojë direkt në finale”, shtoi ai.

“Futbolli nuk është PlayStation. Duhet të tentojmë të fitojmë siç kemi bërë në sezonet e kaluara, por për të arritur këtë, të nevojitet edhe fati”.

“Nuk do të thotë se me ardhjen e Ronaldos do të fitojmë gjithqysh. Jemi duke punuar për të fituar, por edhe të tjerët gjithashtu…”.