Aliu pasi mundi Ismajlin e PDK-së: Qeverisja ishte në interes të një qarku të ngushtë të njerëzve

Fituesi i zgjedhjeve në Shtime Qemajl Aliu, është deklaruar një ditë pas zgjedhjeve me anë të një lidhje direkte në “Frontal” në T7.

Qemajl Aliu pohon se qeverisja e Naim Ismajlit të PDK-së, madatin e fundit i ka shërbyer një qarku të ngushtë të njerëzve dhe jo interesave të qytetarëve.

“Çdo qeverisje e zgjatur krijon konsumimin e vetë, kjo qeverisje ka pasur defektet e veta, sidomos ne mandatin e fundit ka qenë më shumë në interes një qarku të ngushtë përreth qeverisjes sesa në interes të qytetarëve. Kemi arritë me bë një ekip të mirë në komunën tonë me një program të mirëfilltë”, tha Aliu në “Frontal”, transmeton Express.

Gjatë bisedës ai tregoi prioritetet e qeverisjes së tij në Shtime.

“Une po merrem me fitoren dhe fitorja ka qenë historike, qytetarët e Shtimës kanë arritë me votu dinjitetshëm dhe me dalë nga qeverisja që ka kriju frustrime. Ne do ta marrim komunën me shumë probleme, ka shumë prioritete, do të mundohemi të rikthejmë vlerat në Shtime dhe të fillojmë rregullimin që nga arsimi, shëndetësia, shërbimet publike, infrastrukturën etj”, tha ai tutje.

“Në Shtime ka ndryshu një pushtet i stërzgjatur që nuk ka qenë në favor të interesit qytetar”, u shpreh ai tutje.