Portieri i Brazilit iu bashkua liderëve të Premier Ligës në verë nga Roma, duke e zgjedhur atë para klubit londinez.

Alisson ka treguar se historia e Liverpoolit ka luajtur rolin kryesor në vendimin e tij dhe kjo është njëra prej arsyeve pse ai kaloi aty para Chelseat.

Braziliani është bërë portieri më i shtrenjtë në histori këtë verë kur ai iu bashkua “The Reds” nga Roma për 65 milionë funte.

Në një intervistë për FourFourTwo, Alisson ka shpjeguar arsyet pas vendimit të tij që të luaj në “Anfield” në vend të “Stamford Bridge”.

“E zgjodha Liverpoolin për të njëjtat arsye kur shkova në Romë dhe e lashë për herë të parë Brazilin mendova që do të ishte një lëvizje e mirë për karrierën time”, tha 26 vjeçari.

“Chelsea ishin duke e ndryshuar menaxherin e tyre dhe nuk luanin as në Ligën e Kampionëve”.

Përveç kualifikimit në garën e top klubeve në Europë dhe karrierës së tyre menaxheriale, Alisson po ashtu ka theksuar se “The Reds” janë njëra prej skuadrave historikisht më të trofeshme në Europë.

Liverpooli ka fituar pesë tituj europian, në krahasim me Chelsean që e ka fituar një. Ata po ashtu kanë fituar 18 herë ligën në Angli, kurse Chelsea gjashtë.

“Unë gjithmonë e kam adhuruar historinë e Liverpoolit”, ka vazhduar Alisson.

“Ky klub ka pesë tituj të Ligës së Kampionëve në vitrinën e tyre. Me të vërtetë dëshiroja që të jem pjesë e historisë së tyre”.

“Isha shumë afër për të fituar trofe me Romën kurse tani po punoj shumë që kjo të ndodh me Liverpoolin”.

“Çfarë është jeta nëse nuk lufton që ëndrrat t’i bëni realitet? Ëndërroj që ta fitoj Ligën e Kampionëve”.

Liverpooli është katër pikë para Cityt në Premier Ligë kurse në Ligën e Kampionëve do të luaj kundër Bayernit në 1/16 e finales në fillim të muajit të ardhshëm.