Portier i Liverpoolit, Alisson Becker ka treguar se ka ndjerë keqardhje për paraardhësin e tij te “The Reds”, Loris Karius, me gardianin gjerman që i bëri dy gafa të rënda që më pas ndikuan në humbjen e Champions Leagues në finale përballë Real Madridit.

Jurgen Klopp gjatë verës nisi përgatitjet e tij për të përforcuar portën e Liverpoolit, gjersa në korrik për 70 milonë euro në “Anfield” u transferua portieri brazlian, Alisson.

Me ardhjen e Alissonit, Liverpooli ka pranuar vetëm 10 gola në Premier League nga 21 ndeshje të zhvilluara, me ish portierin e Romës që ka zbuluar trishtimin e tij për gabimet e Kariusit.

“Edhe kur skuadra ime shënon nga një gabim i portierit kundërshtar, është një ndjenjë tjetër për mua. Nuk e festoj si të gjithë golat tjerë. E di se çfarë kalon nëpër mendjen e portierëve në ato momente. Isha shumë i mërzitur me ngjarjen e Kariusit, mund t’i ndodhte secilit”, theksoi Alisson.