Aleanca e Selës dhe BESA e Kasamit zyrtarizuan përkrahjen për Rekën për president të Maqedonisë së Veriut

Dy partitë opozitare shqiptare, Aleanca për Shqiptarët në krye me Ziadin Selën dhe Lëvizja BESA në krye me Bilall Kasamin, kanë zyrtarizuar mbështetjen ndaj Blerim Rekës si kandidat i pavarur në zgjedhjet presidenciale të Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

“Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët përkrahin kandidaturën e Prof. Dr. Blerim Rekës për President të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Si parti opozitare, konsiderojmë se zgjedhjet presidenciale në vend nuk kanë kuptim pa kandidat shqiptar, sepse ndryshe shqiptarët do të reduktoheshin vetëm në votues që japin votën, por jo edhe subjekt për të cilin duhet të votohet. Për arsye parimore, e përkrahim kandidaturën për President të profesor Rekës. Përvoja e tij e pasur akademike dhe diplomatike vetëm do ta fuqizonte funksionin e Presidentit të shtetit”, thuhet në njoftimin e ASH-së dhe BESËS.

Paraprakisht, zëdhënësi i BESË-s, Elmedin Memishi tha se vendimi për përkrahje do të merret më së voni deri të hënën.

Ndërkaq zëdhënësi i ASH-së, Flakron Bexheti deklaroi se për mbështetjen e Rekës, nesër do të njoftohet edhe Kryesia Qëndrore e ASH-së.

Përndryshe, kandidaturën e pavarur për president të Maqedonisë së Veriut, ish-ambasadori Reka e ka shpallur sot. Ai ka kërkuar votën shqiptare, me qëllim që, siç thotë, Maqedonia e Veriut të mos jetë shtet monoetnik.

Deri tash zyrtarisht Reka do të garojë me kandidaten e partisë opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska.