Albulena Haxhiu nuk flet për protestat e mundshme: Të shohim vendimin e Kushtetueses

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nuk ka dashur të flasë nëse partia e saj, VV-ja, do të organizojë protesta në rast se Gjykata Kushtetuese nuk e shpall antikushtetues dekretin e presidentit Hashim Thaçi për mandatarin e qeverisë.

Ajo e ftuar në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se Qeveria dhe VV-ja do të pranojnë çdo vendim të Kushtetueses në rast se është vetëm interpretim. E në rast se do të jetë më shumë se kaq, siç ka thënë ajo, amandamentim, atëherë do të kundërshtohet.

Për protesta, ajo ka thënë se duhet pritur vendimi i Kushtetueses.

“Nuk kemi vendosur ende për protesta, sapo të kemi një vendim do të shohim. Nuk dua të paragjykojë aktvendimin, të shohim, masa e përkohshme e Kushtetueses është deri më 29 maj, e njëjta mund të zgjatet tutje, ta shohim si do të shkojë situata dhe do të jemi transparentë”, ka thënë ajo për protestat e mundshme.

Ajo ka folur edhe për tubimin që para disa ditëve u organizua në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë dhe u quajt “Provë për protesta”.

Ajo tha se organizimi nuk ishte i VV-së, porse ka pasur edhe aktivistë të kësaj partie.

“Tubimi s’ka qenë i organizuar nga VV-ja, të gjitha vendimet merren në Kryesi dhe aty jam pjesë edhe unë. Ai vendim nuk është marrë aty, ka qenë një provë e qytetarëeve, kanë dalë dhe e kanë bërë, ka ndodhur edhe në shtete tjera. E drejta për protestuar është e mbrojtur me Kushtetutë dhe me Konventën Ndërkombëtare”, ka thënë ajo.

Haxhiu ka thënë se Gjykata Kushtetuese nuk bën të bie në presion të deklaratave të përditshme të liderëve partiak. Këtë ftesë të saj nuk e ka quajtur presion.

“Do të pranojnë interpretimin, por çfarëdo tendence për të shkruar Kushtetutën do të ketë reagime dhe pakënaqësi qytetare. Ka reagime edhe tash. Nuk po i nxisim qytetarët, por nuk mund t’u themi se çfarëdo që bëjnë këta, ju duhet të rrini të qetë. Qeveria jonë ka ngritur standardin, andaj nuk duan të bashkëpunojnë me ne. Po ashtu është edhe frika nga shteti i së drejtës. Nuk ka interes për të pasur vetting, konfiskim të pasurisë e të tjera”, është shprehur Haxhiu.

Ajo ka folur edhe për rolin e presidentit Thaçi, që sipas saj është e një lideri opozitar. Për këtë, ajo ka përsëritur thirrjen e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që Thaçi të dorëzojë mandatin e presidentit dhe të garojë në zgjedhje.

“Thaçit i ka mbetur merak që të jetë pjesë e skenës politike, andaj e ftojmë që të heqë dorë nga posti i presidentit dhe le të përvjel mëngët e të futet në garë. Le të matet me zotin Kurti. Kurti e ka ftuar edhe në debat politik, pasi ai tashmë ka marrë anë, meqë hapur po e luan rolin e liderit opozitar”, ka komentuar ministrja në detyrë, Haxhiu.