Albin Kurtit do t’i rritet paga për qindra euro, por jo edhe qytetarëve, shumëkujt do t’i ulet ajo

Qeveria e Kosovës e ka publikuar sot vlerën e koeficientit të pagave. Ajo do të jetë 105 euro. 

Kryeministri Albin Kurti të cilit do t’i rritet paga për 285 euro,  në mbledhjen e sotme të Qeverisë tha se për çdo vit do të shqyrtohen mundësitë buxhetore dhe do të bëhet ndryshimi i koeficientëve sipas atyre mundësive.

“Vlera e koeficientit për këtë vit është 105. Ndërsa në janar të vitit 2024 sipas përllogaritjes së Ministrisë së Financave ai do të jetë 110. Me këtë ndryshim plotësim të Ligjit të Buxhetit i hapet rrugë sistemit të ri të pagave në Republikën e Kosovës prej këtij muaji. Me këtë sistem të ri dhe këto vlera të kompensimeve, ne kemi synuar dhe mbërritur disa objektiva bazë: barazi dhe ndershmëri për pagat në mes të kategorive, ngushtim të hendekut midis zyrtarëve të lartë dhe të tjerëve, si dhe mbështetjes solide për katër kategoritë jetike për funksionimin e shoqërisë. E reja e këtij sistemi përveç vlerave në klasifikimin e kategorive tek zyrtarët publikë, është se për çdo vit do të shqyrtohen mundësitë buxhetore dhe do të bëhet ndryshimi i koeficientëve sipas atyre mundësive. Pas kësaj nuk do të ketë më stagnim të pagave për zyrtarët pafundësisht”, ka thënë Kurti ndër të tjera.

Koeficientin më të lartë me Ligjin e Pagave e ka presidentja Vjosa Osmani. Osmani e cila ka koeficientin 18 do të paguhet 1 mijë e 890 euro, shkruan Demokracia.com.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka- Namani do të ketë koeficient 17.5 dhe me këtë koeficient paga e saj do të jetë 1 mijë e 837 euro e pesëdhjetë centë.

Kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, do të paguhen  1 mijë e 785 euro.

Deputetët dhe ministrat do të kenë pagë të barabartë, me koeficient 16.4 që i bie  1 mijë e 722 euro.

Kryetari i Prishtinës me këtë koeficient do të ketë pagën 1 mijë e 575 euro.

Kryetari i Gjykatës Supreme do të  paguhet 1 mijë e 785 euro.

Në Prokurori, paga e kryeprokurorit do të jetë me koeficientin 17 ose 1 mijë e 785 euro.

Paga e prokurorëve të përgjithshëm në Themelore do të jetë 1 mijë e 260 euro.

Komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari do të paguhet 1 mijë 575 euro.

Drejtori i përgjithshëm  i Policisë do të ketë pagë  1 mijë e 522 euro e 50 centë.

Ndërsa polici i thjeshtë do të paguhet 525 euro.

Pagat e mësimdhënësve të shkollave fillore dhe të mesme të ulëta  do të jetë 588 euro.

Kurse mësimdhënësit në shkollat e mesme të larta do të kenë pagë  609 euro.

Mjekët e përgjithshëm do të kenë pagë  777 euro kurse specialistët 1260 euro

Ligji parasheh kompensim për kujdestari, për punën gjatë natës e për punë jashtë orarit. Ndërsa, ulja e nivelit të pagës parashihet vetëm në dy raste, të tronditjes makroekonomike apo të fatkeqësisë natyrore./Demokracia.com/