“Albanian Post” reagon pasi Escobar mohoi 24 shkurtin si afat për marrëveshje Kosovë-Serbi

Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë të dhënë dje për mediumin publik të Serbisë ka thënë se 24 shkurti nuk është afat për arritjen e ndonjë marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë .

“Nuk e di nga erdhi 24 shkurti si afat, kjo është absolutisht e pavërtetë”, ka thënë Escobar.

Lidhur me këtë deklaratë të Escobar kanë lëshuar një reagim nga mediumi “Albanian Post” të cilët të thirrur në burimet e tyre kanë raportuar se 24 shkurti është vendosur si afat për marrëveshje.

“”Albanian Post” e mirëkupton plotësisht pozicionin e vështirë në të cilin është gjendur z. Escobar, pasi që qeveritarët serbë kanë aluduar për lidhshmëri në mes të raportimit tonë dhe deklarimit në Prishtinë të z.Escobar për një marrëveshje brenda disa javësh”, thuhet në reagimin e Albanian Post.

Reagimi i plotë:

Të enjten dhe të premten, në komunikimet dhe bisedat zyrtare në mes të Presidencës së Serbisë dhe përfaqësuesve diplomatik perëndimor, Presidenti Vucic ka akuzuar diplomatët perëndimor se janë duke e përdorur “Albanian Post” për të transmetuar indirekt presionet dhe, siç është shprehur, edhe kërcënimet ndaj tij dhe Serbisë.

Nëpërmjet burimeve të veta, “Albanian Post” është në dijeni të plotë mbi natyrën dhe përmbajtjen e këtyre komunikimeve dhe bisedave.

“Albanian Post” e mirëkupton plotësisht pozicionin e vështirë në të cilin është gjendur z. Escobar, pasi që qeveritarët serbë kanë aluduar për lidhshmëri në mes të raportimit tonë dhe deklarimit në Prishtinë të z.Escobar për një marrëveshje brenda disa javësh.

Megjithatë, thënë këtë, “Albanian Post” qëndron fuqishëm prapa raportimit që marrëveshja mbi planin franko-gjerman, përkatësisht mbi atë që këto ditë në Beograd u intepretua si udhërrëfyes i detajuar i hapave që duhet ndjekur deri në normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, duhet të arrihet para një vjetorit të sulmeve në Ukrainë.