LAJMI I FUNDIT

Alarmon Sanduloviq: Policia e Vuçiqit e ka marrë në pyetje avokatin britanik – reagon Alicia Kearns

Një avokat nga Britania e Madhe është ndaluar për orë të tëra në aeroportin ndërkombëtar të Beogradit dhe po merret në pyetje nga policia e Serbisë.

Kështu ka bërë të ditur politikani opozitar në Serbi, Nikola Sanduloviq, i cili ka dhënë edhe detaje përmes rrjeteve sociale.

“Avokati Michael Polak është ndaluar nga pjesëtarët e policisë së Vuçiqit që po e marrin në pyetje”, ka shkruar ai në platformë X.

“A do të bëjë më në fund bashkësia ndërkombëtare diçka për regjimin diktatorial në Serbi?”, ka pyetur lideri i partisë Republikane të Serbisë.

Ndërkohë, ka reaguar edhe deputetja britanike, Alicia Kearns, e cila ka pohuar se “kjo është thellësisht shqetësuese” dhe se e ka informuar për ngjarjen Ministrinë e Jashtme.

Britaniku është ndaluar pasi ka denoncuar së bashku me avokatin e Sanduloviqit, Çedomir Stojkoviqin abuzimet dhe keqtrajtimet që i janë bërë politikanit serb.

Ndryshe, Snaduloviq javë më parë ishte arrestuar dhe rrahur nga pjesëtarët Agjencia së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA) pasi kishte publikuar një video teksa bënte homazhe pranë varrezave të familjes Jashari në Prekaz.