Akuza për nepotizëm e pengim të faljes së namazit në xhaminë e Pejës – mosmarrëveshja mes imamëve që përfundoi në polici

Pozita për imamin e xhamisë ‘Kurshumli’ në Pejë është bërë mollë sherri për dy imamët, Ernes Goga dhe Safet Pushka. Goga më 10 prill ishte ankuar në Polici se Pushka e kishte penguar atë gjatë ritualeve fetare në këtë xhami, por që ky i fundit nuk iu përgjigj ftesës së Policisë për intervistim, duke përsëritur veprimet e njëjta dy ditë më pas dhe si pasojë e kësaj përfundoi në stacion të Policisë.

Safet Pushka, imam i Bashkësisë Islame të Kosovës për më shumë se 10 vite, të hënën e 12 prillit përfundoi në stacion të Policisë së Kosovës në Pejë, nën dyshimin se kishte penguar ritualet fetare të cilat po kryheshin në xhaminë ‘Kurshumli’ në Pejë, e që atë ditë po i udhëhiqte imami tjetër Ernes Goga.

Pushka, ‘incidentin’ e parë në xhami e shkaktoi të shtunën e kaluar, e përsëriti të njëjtin veprim edhe të hënën, si pasojë e mllefit ndaj imamit Goga. E për ketë të fundit në adresën e redaksisë së Gazetës Online ‘Reporteri.net’, kanë ardhur akuza se është punësuar jashtëligjshëm si imam i xhamisë ‘Kurshumli’, një prej xhamive me “xhematin” më të madh në Pejë.

Një dëshmitar (emër i njohur për redaksinë), ka deklaruar për Gazetën Online se Ernes Goga, që është vëllai i kryeimamit të Pejës, Enes Goga, është i punësuar pa konkurs si imam në xhaminë ‘Kurshumli’,shkruan Ballkani.info.

Madje, i njëjti pretendon se Goga, nuk ka as shkollimin adekuat për të qenë imam.

Ai i ka dalë në mbrojtje imamit tjetër, Safet Pushka, për të cilin tha se është ankuar vazhdimisht për nepotizëm në BIK dhe në mbledhjet e imamëve në Pejë.

Sipas tij, Ernes Goga mban atë pozitën që ka, falë vëllait të tij që është kryeimam në Pejë, ndaj edhe thotë se erdhi deri të incidenti i së shtunës.

“Safet Pushka është imam qe 10 vjet, ka bo kërkesë qe sa me shku në atë xhami edhe tash i ka ardhë inati pse ky (Ernes Goga) u punësu pa konkurs edhe ka shku aty e ka shkaktu nifar ekcesi, duke i pengu ritualet fetare në xhaminë ku është imam Goga.”, ka thënë ky dëshmitar për Gazetën Online,transmeton Ballkani.info.

Madje ai thotë se tash e një vit është marrë vendimi nga BIK-u që të hapen konkurset, por kjo nuk po ndodhë, duke punësuar kështu jashtëligjshëm disa persona.

“Nuk hapen konkurset për me i punësu qështu. Domethënë janë edhe nja tre a katër të tjerë pa konkurs, pa kontrata dhe jo me kontratë mbi vepër a diçka, po veç me marrëveshje. Që s’di sa vjet në Pejë gjithçka funksionon pa konkurs”, ka akuzuar ai.

Safet Pushka nuk ka pranuar të deklarohet, duke thënë se nuk ka punë me gazetarë.

“Unë s’kam punë me gazetarë. Ditën e mirë”, i tha Pushka të mërkurën Gazetës Online.

Njëjtë veproi edhe kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Pejë, Musli Arifaj, i cili nuk deshi të prononcohet për rastin.

Ndërsa kryeimami Enes Goga dhe vëllai i tij, imami Ernes Goga, nuk kanë qenë të qasshëm për t’u deklaruar lidhur me rastin.

Bashkësia Islame e Kosovës nuk kanë kthyer përgjigje për pyetjet drejtuar karshi tyre deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

Ndërkohë, gazeta ka dërguar pyetje edhe në Zyrën për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun të Policisë së Kosovës, për detaje tjera rreth rastit.

Nga Policia bëjnë të ditur se pas përfundimit të ritualeve fetare, kanë shoqëruar në stacion për intervistim imamin Pushka.

“Me datë 10.04.2021, Stacioni Policor në Pejë, ka pranuar një ankesë nga Imami i një Xhamie në Pejë, i cili ka njoftuar se imami i një Xhami tjetër ka penguar gjatë ritualeve fetare në xhaminë ku është imam ankuesi. Policia e ka ftuar për intervistim imamin i cili ka penguar ritualet fetare, mirëpo i njëjti nuk iu është përgjigjur ftesës. Imami me datë 12.04.2021, ka përsëritur veprimet e njëjta duke penguar ceremoninë fetare. Policia pas përfundimit të ritualeve fetare, me datë 12.04.2021, ka shoqëruar Imamin i cili ka penguar, është intervistuar ne cilësinë e dëshmitarit”, thuhet në përgjigjen e ZIMP për Reporteri.net.

Por, policia thekson se lidhur me rastin në fjalë, është konsultuar edhe Prokurori i Shtetit sipas të cilit nuk ka elemente të veprës penale.