Të gjitha rrugët të çojnë tek Modric. Ose të paktën të gjitha të dhënat flasin për një tentativë tjetër të zikaltërve të Interit drejt objektivit madhor që është kroati fitues i Topit të Artë.
Pas operacionit të verës së shkuar i cili dështoi, me Marottën si forcë të shtuar në organikën drejtuese, klubi milanez po përpilon strategjinë e re për të sjellë në shërbim të Spalletit mesfushorin 33-vjeçar në fund të këtij sezoni.
Klubi mbretëror i Realit është duke u mësuar gjithnjë e më shumë me idenë se shpejt do të humbasë shërbimet e kroatit referuar edhe zhvillimeve të fundit mes palëve ku rinovimi i kontratës aktuale të Modric që skadon në 2020-ën ende nuk ka ndodhur.
Në këtë mënyrë për “Los Blancos” po kthehet gjithnjë e më shumë në objektivin kryesor danezi Chritian Eriksen, që do të ishte një element i rëndësishëm në ndryshimet gjeneraliste që pritet të ndodhin në mesfushën e klubit merengues.
Janë mediat spanjolle që japin indicie se këtë herë operacioni për transferimin e Luka Modric nga Madridi drejt Milanos është duke ecur pozitivisht. Në këtë mënyrë ëndrra e madhe e klubit zikaltër shumë shpejt mund të bëhet realitet.
Me Marottën që siguroi një prej transferimeve më të bujshme tek rivalët e Juventusit siç ishe ai i Cristiano Ronaldos pritshmëritë e Interit janë të bazuara.







