Aktakuzë për gjyqtarin Berisha, dyshohet që korruptohej edhe me para “veresi”

Çështja e një aktgjykimi me dënim të favorshëm në këmbim të disa mijëra eurove, sipas pretendimeve të Prokurorisë Speciale, mund të mos ishte zbuluar kurrë nëse gjyqtari i rastit, Sali Berisha, këtë aktgjykim nuk do t’ia lëshonte “veresi” të akuzuarit.

Sipas hetuesisë, kërkesa e vazhdueshme e gjyqtarit për të akuzuarin që t’ia japë edhe 2.000 euro që i kishte mbetur “borxh” të këtij aktgjykimi të favorshëm të nxjerrë rreth katër vjet më herët, ka involvuar Prokurorinë Speciale në këtë rast, shkruan sot “Koha Ditore”.

Të enjten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kryeprokurori special, Blerim Isufaj, ka dorëzuar aktakuzën për korrupsion kundër gjyqtarit Berisha.

Siç ka mësuar gazeta, bëhet fjalë për një aktgjykim të favorshëm të cilën Berisha e kishte nxjerrë për një të akuzuar për kontrabandim me emigrantë. Berisha, sipas këtyre burimeve, në këtë rast ka qenë kryetar i trupit gjykues. Për të nxjerrë dënim me kusht, ai nga familja e të akuzuarit kishte kërkuar 6 mijë euro.