Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, të cilët dyshohet se si anëtarë të komisionit për pranim të punëtorëve në minierën e Trepçës kishin bërë dallavere duke mosrespektuar procedurat e konkursit të punësimit.
Rasti daton nga janari i vitit 2020. A.H, E.M dhe B.A. dyshohen se kishin shkelur rregulloren gjatë intervistimit me gojë duke vlerësuar kandidatët me 25 pikë për pyetje të saktë, e sipas udhëzimit administrativ çdo pyetje e saktë duhej vlerësura me 20 pikë. Duke notuar në këtë mënyrë shtatë persona i sistemuan në vende pune, ndërsa pretendohet se kandidatëve të tjerë u mohua e drejta për punësim dhe kushte të njëjta siç parashihet me ligj.
”Të pandehurit, në janar të vitit 2020, si anëtarë të komisionit për pranimin e punëtorëve në minierën e Trepça SH.A., në bashkëkryerje dhe me dashje kanë vepruar në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, duke mospërfillur procedurat e rekrutimit të përcaktuara, sipas udhëzimit administrativ të MPMS lidhur me rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik. Të njëjtit, kanë shkelur rregulloren e vlerësimit gjatë intervistimit me gojë të kandidatëve, ashtu që në vend të vlerësimit për çdo pyetje të saktë me njëzet (20) pikë siç rregullohet në udhëzim administrativ, në rastin konkret të pandehurit i kanë vlerësuar kandidatët me nga njëzet e pesë (25) pikë për pyetje në total me mbi njëqind (100) deri treqind (300) pikë, duke i sistemuar në vende pune dhe themeluar marrëdhënie të punës me shtatë (7) persona, dhe me këtë veprim kandidatëve tjerë u ka mohuar të drejtën për punësim dhe kushte të njëjta ashtu siç parashihet me ligj. Me këto veprime, të pandehurit A.H., E.M., dhe B.A., kanë kryer veprën penale e cila u vihen në barrë. Prokurori i Shtetit, i ka propozuar gjykatës që të pandehurit t`i shpallë fajtorë për veprën e kryer penale dhe t`i dënojë sipas ligjit”, thuhet nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës.







