Aktakuzë ndaj gjashtë zyrtarëve komunalë në Istog për kryerjen e 21 veprave penale

Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër gjashtë zyrtarëve komunalë të komunës se Istogut, për 21 vepra korruptive.

Sipas aktakuzës të proceduar sot nga Prokuroria Themelore e Pejës në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore të Pejës, nga provat e grumbulluara gjatë hetimit njëvjeçar, është krijuar dyshimin i bazuar mirë, se gjashtë (6) zyrtarët e pandehur me veprimet e tyre gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, në njëzetenjë (21) raste kanë keqpërdorur pozitën zyrtare.

Të pandehur sipas aktakuzës janë :

1) J.B, (ish drejtor i Drejtorisë për Planifikim Urban dhe Mjedis)

2) I.H (ish drejtor i Drejtorisë për Planifikim Urban dhe Mjedis)

3) B.D (ish drejtor i Drejtorisë për Planifikim Urban dhe Mjedis)

4) R.B (udhëheqës i sektorit për planifikim dhe rregullim urban)

5) Rr. G (zyrtar për Planifikim Hapësinor dhe Ndërtim)

6) E.B (përgjegjëse për mjedis)

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallën fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale e cilat ju vihet në barrë.

Gjithashtu, prokurori i shtetit që ndaj të pandehurve të shqiptohet edhe dënimi plotësues: “ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik”.