Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër zëdhënësit të LVV-së Arlind Manxhuka, asamblistit të kësaj partie në Prishtinë, Egzon Azemi si dhe personave me iniciale Q.E. dhe E.Z..

Sipas Prokurorisë aktakuza kundër Manxhukës e Azemit është ngritur për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit” nga neni 141 paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Ky rast lidhet me deklarimet e tyre për lirimin e ish policit serb Dejan Pantiq, i cili dyshohej për “terrorizëm në bashkëkryerje”.

“Ndërsa, kundër të pandehurve Q.E dhe E.Z është ngritur aktakuzë për veprën penale “Kanosja” nga neni 181 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, pasi që të njëjtit me dashje kanë kanosur të dëmtuarit A.Sh dhe M.B..”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, të pandehurit Manxhuka dhe Azemi, “duke keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare nëpërmjet rrjetit social ‘’Facebook’’, me dashje thuhet se kanë përhapur dhe nxitur urrejtje e mos durim ndaj të dëmtuarve, prokurorit A.Sh. dhe gjyqtarit M.B., lidhur me një vendim për ndryshimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarit D.P..”