Krime lufte

Aktakuzë kundër një personi për krime lufte, dyshohet se mori pjesë në vrasjen e 16 civilëve shqiptarë në Istog

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar të premten aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurit E.B. për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Krime të luftës kundër popullsisë civile”.

Sipas njoftimit, kjo vepër është e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të  Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (tutje “LP-RSFJ”), si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.

“Hetimet kanë siguruar prova të mjaftueshme relevante juridike që dëshmojnë dyshimin e bazuar mirë se i pandehuri në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë dhe ka kontribuar në vrasjen e gjashtëmbëdhjetë (16) civilë të nacionalitetit shqiptarë, ngjarje kjo e cila ka ndodhur më 8 maj 1999, në fshatin Saradran të komunës së Istogut”, ka bërë të ditur prokuroria.

Kjo çështje penale tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme.

I pandehuri gjendet nën masën e sigurisë – paraburgim, sipas vendimit të Gjyqtarit të procedurës paraprake deri në një vendim të ri nga ana e gjykatës.