Tepelenë

Aksidenti tragjik me 4 viktima, Balla: Policia Rrugore të rrisë kontrollet

Ministri i Brendshëm në Republikën e Shqipërisë, Taulant Balla, ka reaguar pas aksidentit të rëndë të ndodhur në Tepelenë ku humbën jetën katër persona dhe dy të tjerë mbetën të plagosur.

Balla shkruan se zbatimi i rregullave të qarkullimit rrugor nga përdoruesit e rrugës është detyrim ligjor e përgjegjësi ndaj jetës.

Më tej ai thotë se Policia Rrugore duhet të rrisë edhe më shumë kontrollet dhe forcën parandaluese.

Ndërkaq, rreth orës 17:00 tre automjete janë përfshirë në një aksident në bypassin e Tepelenës, poshtë kalasë së këtij qyteti.

Si pasojë e përplasjes kanë humbur jetën katër persona, ndërkohë që në aksident janë përfshirë tetë shtetas.

Sipas informacioneve paraprake një prej automjeteve ka humbur kontrollin dhe si pasojë është përplasur me dy automjete të tjera që lëviznin në kahun e kundërt.

Të plagosurit janë transportuar për në spitalin e Gjirokastrës për të marrë ndihmën mjekësore.

Grupi hetimor në vendngjarje po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.