Aksidenti me fatalitet në Kamenicë: Edhe një foshnje në gjendje të rëndë, dërgohet në QKUK

Një person ka vdekur dhe tre të tjerë janë lënduar si pasojë e një aksidenti të rëndë trafiku që ka ndodhur në mesditë në fshatin Hodonovc të Komunës së Kamenicës.

Në mesin e të lënduarave është edhe një foshnje.

Drejtori i Spitalit Rajonal të Gjilanit, Arsim Emini për Demokracia.com ka treguar edhe gjendjen e foshnjës.

“Po, në mesin e të lënduarve është edhe një foshnje rreth një vjeç, gjendja e së cilës është e rëndë. Ka lëndime në kokë dhe në gjoks. E kemi intubuar dhe e kemi nisur për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), për shkak të gjendjes së rëndë dhe trajtimit më të sigurt atje. Ajo është nisur për në QKUK së bashku me nënën e saj”, ka thënë Emini.

Ndërsa, si pasojë e këtij aksidenti një 33 vjeçar e ka humbur jetën në vendin e ngjarjes.

Lajmi u konfirmua nga Valon Osmani nga Policia e Kosovës.

“Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan, Stacioni Policor Kamenicë me datën 24.02.2023, rreth orës 10:43 ka pranuar informacion se në fshatin Hodonovc, Komuna e Kamenicës ka ndodhur një aksident trafiku në mes të dy automjeteve me tabela vendore. Hetuesit policorë kanë dalë në vendin e ngjarjes së bashku me ekipin mjekësor dhe njësitin e zjarrfikësve. Si pasojë e këtij aksidenti një person mashkull kosovar rreth moshës 33 vjeçar nuk ka arritur që të u mbijetoj lëndimeve dhe ka ndërruar jetë, vdekjen e të cilit e ka konfirmuar mjekut kujdestar në vendin e ngjarjes. Nga ky aksident edhe tre persona tjerë kanë pësuar lëndime trupore të cilët janë duke marrë trajtim në qendrën emergjente në Gjilan.”, ka thënë Osmani.